Kërko

Organizimi me përgjegjësi shoqërore

Kodi i reklamimit të përgjegjshëm

 

1. Hyrje

Qëllimi i Lotarisë së Kosovës është të organizojë lojëra të fatit në mënyrë të përgjegjshme dhe t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës mundësinë për të luajtur. Zhvillimi i lojërave si dhe marketingu i tyre, shpërndarja dhe shitja, duhet të bëhen në atë mënyrë që të minimizojnë rrezikun e luajtjes së tepruar të lojërave të fatit.

Pjesa më e rëndësishme e aktiviteteve me përgjegjësi shoqërore të Lotarisë së Kosovës është që të punojë në parandalimin, informimin dhe edukimin që zhvillohet në kuadër të zbatimit të “Standardeve të organizimit me përgjegjësi të lojërave të fatit.”

Lojtarit duhet t’i jepen informatat e duhura në lidhje me lojërat, në mënyrë që ai të jetë në gjendje të marrë një vendim të menduar dhe kështu të ketë kontroll ndaj sjelljes së tij në lojë. Lotaria e Kosovës do të zhvillojë mjetet ndihmëse për të inkurajuar luajtjen me masë dhe përgjegjësi të lojërave të fatit.

Lotaria e Kosovës është e para në futjen e lojërave të përgjegjshme të fatit në Kosovë dhe qëllimi i saj është që të bëhet prijëse e përsosmërisë për këtë çështje.

Për të arritur këtë qëllim ambicioz, filozofia për organizimin e përgjegjshëm duhet të instalohet në punën e marketingut. Sfidat në reklamat e bixhozit janë: të reklamohet në atë mënyrë që të nxitet luajtja me masë dhe loja si argëtim, duke mos inkurajuar kërkimin për të holla dhe luajtjen me shuma të mëdha, por në atë mënyrë që shoqëria ta vlerësojë të pranueshme, duke pasur parasysh veprimtarinë specifike të lojërave të fatit.

Në këtë kontekst, duhet theksuar se mendime të ndryshme aplikohen në situata të ndryshme. Për shembull, disa studime sugjerojnë se është e diskutueshme nëse kufizimi dhe reduktimi i reklamave ndikon dukshëm në uljen e problemeve të varësisë në shoqëri, kur bëhet fjalë për lojërat me rrezik të ulët apo të mesëm. Madje vërehet një ndryshim në ndikimin e reklamave nga medie të caktuara dhe dëshmohet se reklamat në TV kanë ndikimin më të madh sesa ato përmes gazetave. Prandaj, çdo rast duhet të merret parasysh në mënyrë individuale dhe të merren vendime të balancuara, duke pasur kujdes, nga njëra anë, për të shmangur pasojat negative sociale dhe mbrojtjen e më të ndjeshmëve dhe, në anën tjetër, të jepen informacione të nevojshme për lojëra, duke i bërë ato tërheqëse në mënyrë që lojtarët, nga organizuesit më pak të përgjegjshëm apo ilegalë, të orientohen te lojërat e fatit të lotarisë.

Me këto udhëzime të marketingut, Lotaria e Kosovës dëshiron të theksojë se si do t’i aplikojë reklamat e përgjegjshme dhe çfarë duhet të merret parasysh, kur reklamohen produktet dhe shërbimet në mënyrë që të zhvillojë afarizmin në harmoni me ligjet e aplikueshme, me kodin profesional të sjelljes, me vizionin e vet dhe parimet e miratuara etike e morale.

Të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitetet e marketingut të Lotarisë së Kosovës dhe që ndikojnë në komunikimin e saj me përdoruesit e shërbimeve, kanë për detyrë t’i lexojnë me kujdes këto udhëzime dhe të veprojnë brenda kuadrit të përcaktuar nga dispozitat e tyre.

 

2. Parimet kryesore për organizimin e lojërave të përgjegjshme në fushën e marketingut

2.1. Qëllimi: Veprimtaria e Lotarisë së Kosovës ka për qëllim edhe mbledhjen e mjeteve për aktivitete të dobishme shoqërore. Për këtë qëllim është i nevojshëm orientimi i lojtarëve që të luajnë lojërat e fatit tek organizatori i sigurt dhe i besueshëm dhe jo tek organizatorët e paligjshëm. Për këtë duhet siguruar informacione në lidhje me lojërat, për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre.
Reklamimi nuk duhet të shkaktojë dëm, në kuptim të rritjes së varësisë ndaj lojërave. Me qëllim të sigurimit të kësaj, Lotaria e Kosovës do të promovojë hulumtimet dhe do të mbledhë informacione në lidhje me pjesëmarrjen e varësve në mesin e lojtarëve të lojërave që ajo ofron dhe, në përputhje me gjetjet dhe rezultatet e arritura, të korrigjojë veprimet e veta.

2.2. Normat dhe kufizimet: Lotaria e Kosovës do të respektojë Kodin e reklamave dhe të gjitha rregulloret pozitive e udhëzimet etike të përshkruara në Standardet e organizimit të përgjegjshme të lojërave të fatit të Asociacionit të Lotarisë Evropiane.
Përveç kufizimeve të lartpërmendura, që në përgjithësi zbatohen për organizatorët e lojërave të fatit, Lotaria e Kosovës ka vendosur të zbatojë kufizime të tjera, me synim të arritjes së qëllimit të saj, të jetë organizatori kryesor në lidhje me organizimin e lojërave të përgjegjshme të fatit.

2.3. Përgjegjësia sociale: Parimi themelor etik i biznesit të përgjegjshëm shoqëror në fushën e marketingut është “parimi i vendimit të informuar”. Ky parim, do të thotë se lojtari ka të drejtë për informacion të saktë, të kapshëm dhe lehtësisht të kuptueshëm në mënyrë që të mund të marrë vendim “të informuar” – vendim të bazuar në informacione, të mjaftueshme dhe të vlefshme për marrjen e vendimit, në këtë rast për mënyrën e luajtjes së lojërave të fatit. Një mjet i rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi është faqja e internetit e Lotarisë Kosovës, pjesa e saj që i dedikohet Organizimit me përgjegjësi shoqërore, e cila përmban një informacion të plotë, të detajuar dhe të rëndësishëm që do t’u lehtësojë lojtarëve marrjen e vendimit “të informuar”.

 

3. Udhëzime

3.1. Reklama e organizatorit të lojërave të fatit duhet të jetë e ligjshme, e ndershme dhe nuk duhet të jetë e zmadhuar

Sqarime:
Me të ligjshme dhe të ndershme nënkuptojmë që Lotaria e Kosovës do të veprojë në përputhje me ligjet dhe kodet në fuqi, që rregullojnë reklamimet. Kjo përfshin, p.sh., Kodin e reklamimit, Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, Ligjin e të drejtave të autorit …
Nën, joimponuese dhe joagresive, nënkuptojmë se reklamat tona nuk duhet të fyejnë askënd, ose të shihet si një ekzagjerim nga ana e lojtarëve tanë.

Ky udhëzim do të thotë se Lotaria e Kosovës:

  • Do të respektojë integritetin personal dhe vullnetin e personave, të cilët refuzojnë marketingun direkt;
  • Porosi promovuese përmes postës elektronike apo postës së rëndomtë, vetëm atyre që japin pëlqimin;
  • Nuk do të reklamojë lojëra të fatit bashkë ose në ndonjë kombinim me reklamat e pijeve alkoolike

 

3.2. Reklama nuk duhet të shkelë besimin e lojtarëve në veprimtarinë e lojërave të fatit ose organizatorit dhe nuk duhet të mashtrojë

Sqarime:
Reklamat e lojërave të fatit nuk duhet të projektohen në mënyrën që do të dëmtonin perceptimin e lojtarit për lojërat si një formë argëtimi ose me vetëdije dhe qëllimisht të formulohen në atë mënyrë që të mashtrojnë lojtarët.

Kjo do të thotë se Lotaria e Kosovës:

  • Përpiqet të jetë e qartë dhe t’u sigurojë lojtarëve informacione të pranueshme, të kuptueshme dhe të besueshme.

 

3.3. Reklamat nuk duhet të na nxisin të mendojmë se rezultati i lojërave të fatit kushtëzohet me ndonjë gjë tjetër, përveç rastit dhe fatit në lojë

Sqarim:
Njerëzit të cilët kanë problem me luajtje të tepruar të lojërave të fatit, ndonjëherë kanë ide të gabuara në lidhje me atë se çfarë është mundësia e realizimit të fitimeve. Shpesh besojnë se ka një mundësi për të ndikuar në rezultatin e lojërave të fatit dhe se me ndonjë aktivitet të tyre mund të rrisin gjasat për të fituar. Në reklamat e saj, Lotaria e Kosovës nuk do të mbështesë ide të tilla të gabuara, kjo do të thotë se ajo nuk do të krijojë përshtypjen se lojtari, duke përdorur statistika, njohuri ose numra të trajtuar si me fat, mund të ndikojë në rezultatin e lojërave të fatit.

 

3.4. Reklamat nuk duhet të përmbajnë informacion të pasaktë në lidhje me probabilitetin dhe shumën e fitimit

Sqarim:
Reklama e Lotarisë së Kosovës nuk duhet të përmbajë porosi se fitimet janë më të mëdha sesa që janë në realitet, dhe nuk guxon t’i rrisë shanset për të fituar.

Kjo do të thotë që:

  • Do të informohet për faktet relevante, të tilla si: fragmente të rregullave, shanset për të fituar dhe shuma, ose shuma e fondit të fitimeve.
  • Duke deklaruar fondin e përgjithshëm të fitimit për një xhiro ose seri, do të bëjë të qartë se sa është fitimi individual në atë xhiro ose seri dhe
  • Do të sigurohet që para reklamimit të fitimeve të pritshme, do të jepen sa më shumë që të jetë e mundshme vlerësime reale.

 

3.5. Reklamat nuk duhet të drejtohen nga grupe të ndjeshme apo të pambrojtura të shoqërisë

Sqarim:
Me grupe të ndjeshme dhe të pambrojtura të shoqërisë kuptojmë njerëzit që, për shkaqe të ndryshme, kanë vështirësi në marrjen e vendimeve për shumën që do të luajnë, ose mundësitë për të fituar.
Kjo, për shembull, do të thotë se në mesazhet e marketingut të Lotarisë së Kosovës nuk duhet:

  • Të theksohet se luajtja e lojërave të fatit mund të jetë një zëvendësim për punë apo mësim, apo se luajtja e lojërave të fatit është mënyrë për sigurimin e mjeteve për jetë;
  • Të theksohet se luajtja e lojërave të fatit është një mënyrë për të zgjidhur problemet e punës dhe shkollës ose problemet e vetmisë apo depresionit;
  • Të theksohet se luajtja e lojërave të fatit mund të përmirësojë personalitetin, rritjen e vetëbesimit dhe të rezultojë me pranimin dhe admirimin e tij në shoqëri;
  • Të lidhet luajtja e lojërave të fatit me kënaqësinë apo tërheqjen;
  • Të paraqitet luajtja e lojërave të fatit në kontekstin që sugjeron vrazhdësi ose e lidh atë me përdorimin e forcës dhe ikjen nga përgjegjësia;
  • Të paraqitet luajtja e lojërave të fatit si një shenjë burrërie;
  • Të përdorë traditën kulturore ose paragjykimin që ka për luajtjen e lojërave të fatit apo për fatin, në përgjithësi, dhe / ose
  • Të inkurajojë lojën përtej kufijve të mundësive individuale.

 

3.6. Reklama nuk guxon të bëhet në objektet që janë të dedikuara kryesisht për të mitur dhe as mesazhet të dizajnohen në mënyrë të tillë që në veçanti ndikojnë në këtë grup

Sqarim.:
Lotaria e Kosovës do të veprojë në atë mënyrë që reklama e saj nuk do të drejtohet në, ose në veçanti të tërheqë, personat më të rinj se 18 vjeç. Kjo vlen për reklamat në aspektin e stilit, fjalorit dhe shkronjave apo zgjedhjen e medieve, si dhe për çdo gjë tjetër që pasqyron ose është e lidhur me kulturën e të rinjve.
Përveç kësaj, Lotaria e Kosovës, pavarësisht nëse është apo nuk është paraparë, nuk do të:

  • Lejojë që mesazhet e saj ose logoja e saj të jenë të shtypura: në fanellat e klubeve të juniorëve, në uniformat apo produktet komerciale të destinuara për përdorim nga të miturit.

 

3.7.Personat nën tetëmbëdhjetë vjeç nuk duhet të kenë role kryesore në reklama të organizatorëve, përveç në rastet kur prezantojnë aktivitete me dobi për shoqërinë për të cilën ka kontribuuar ose kontribuon organizatori dhe kur nuk reklamohet drejtpërdrejt loja e fatit

Sqarim:
Duke pasur parasysh se një pjesë e fondeve të mbledhura nga lojërat e fatit mund të ndahet për të mbështetur aktivitetet e të rinjve, të rinjtë mund të shfaqen në mesazhet e reklamave të Lotarisë Kosovës për të sqaruar mënyrën e përdorimit dhe dedikimin e mjeteve. Në reklama të tjera, të cilat nuk kanë për qëllim të tregojnë përdorimin e fondeve të mbledhura, nuk do të:

  • Paraqen të rinjtë nën moshën 18 vjeç se si luajnë ose të angazhohen në role të shquara lidhur me nxitjen për të luajtur lojërat e fatit, ose
  • Për të përfaqësuar individë në mesazhet reklamuese në mënyrë fëmijërore ose rinore.

 

3.8. Reklamat nuk duhet të inkurajojnë lojtarët të luajnë tej mase

Sqarim:
Nëse personi humb kontrollin mbi lojën, loja bëhet problem. Kjo do të thotë se aktivitetet e marketingut të Lotarisë së Kosovës nuk guxojnë:

  • Të sugjerojnë se lojtarët do të fitojnë më shumë, sa më shumë që të luajnë;
  • Të paraqesin lojën në atë mënyrë që nxit gënjeshtra për lojën ose marrje të hollash hua për të luajtur dhe të investojë më shumë kohë e para në lojërat e fatit sesa ai fillimisht ka planifikuar;
  • Të theksojnë se luajtja e lojërave të fatit mund të ofrojë zgjidhje për problemet financiare, të jetë një zëvendësim për punë ose mënyrë e zgjidhjes së sigurisë financiare;
  • Të paraqesin lojën e fatit si domosdoshmëri apo prioritet, që është më e rëndësishme se, për shembull, familja, miqtë, detyrimet profesionale;
  • Të shprehin se loja e fatit është më e preferuar nga lojërat shoqërore;
  • Të inkurajojnë ose të paraqesin lojën e fatit në vendin e punës;
  • Të nxisin ose të inkurajojnë sjellje kriminale dhe asociale.

 

3.9. Në reklama nuk guxon të deklarohet se luajtja më tepër (e sforcuar) e disa lojërave të fatit nuk është e dëmshme

Sqarim:
Materiali për reklamë i Lotarisë së Kosovës nuk duhet të përmbajë një mesazh se një lojë e fatit është më pak e rrezikshme sesa të tjerat në drejtim të zhvillimit të varësisë te lojtarët dhe sjelljet e tyre. Kjo dispozitë nuk do të zbatohet plotësisht vetëm atëherë kur këtë e kërkon obligimi i orientimit të lojtarëve te organizatori i përgjegjshëm – Lotaria, dhe do të lejojë krahasimin e lojërave tona me lojëra të ngjashme të organizuesve të tjerë.

 

3.10. Njoftimet për varësinë nga lojërat e fatit, në dispozicion për të ndihmuar të varurit dhe familjet e tyre, do të jenë në dispozicion edhe për qytetarët

Sqarim:
Njoftimet do të jenë në dispozicion në të gjitha mjediset në të cilat mund të luhen lojërat, që organizon Lotaria e Kosovës (pikat e shitjes, portali).

Kjo do të thotë që Lotaria e Kosovës:

  • Do të sigurojë informatat për linjën telefonike ndihmëse për mbështetje të lojtarëve, në lotari, vërtetime, tiketat ndihmëse dhe në materiale të tjera.
  • Do të vendosë shenjën organizimit të përgjegjshëm në materialet promovuese, aty ku është e mundur. Vendos në ueb faqe nënfaqen e organizimit të përgjegjshëm, ku do të jenë materialet informative që u mundësojnë lojtarëve të marrin vendime me vetëdije, përmes testeve të vetëvlerësimit, mjetet për vlerësimin e sjelljes së lojtarëve dhe informacionet në lidhje me ndihmën profesionale në dispozicion.

 

4. Vlerësimi i rrezikut të lojërave dhe kanaleve të veçanta të shpërndarjes

Disa lojëra përmbajnë kombinimin e karakteristikave, të cilat, duke pasur parasysh mundësinë e zhvillimit të sjelljes së varësisë, i bëjnë më të rrezikshme se lojërat e tjera. E njëjta lojë mund të ketë efekte të ndryshme varësisht nga vendi, koha dhe mënyra se si është shpërndarë.
Lotaria e Kosovës bën vlerësimin e rrezikut të lojës në bazë të faktorëve: shpejtësisë së luajtjes, përjetimit të lojës, përqindjes së pagesës, perceptimit të lojtarit mbi ndikimin e aftësisë ose njohjen e materialit në rezultatin e lojës, qasjes dhe vlerësimit real nga ana e ekspertëve për përqindjen e varësisë në mesin e lojtarëve të asaj loje në Kosovë.

 

5. Kufizimi i aktiviteteve të reklamimit për lojëra të veçanta

Me qëllim të organizimit me përgjegjësi të lojërave të fatit, Lotaria e Kosovës ka vendosur për të mos reklamuar të gjitha produktet me të njëjtin intensitet. Mendojmë se duhet të jemi shumë të kufizuar në reklamimin e produkteve për të cilat e dimë se janë të lidhura me një rrezik më të lartë të zhvillimit të sjelljes së varësisë.

 

6. Si aplikohen Udhëzimet

Me qëllim që të sigurohet aplikimi dhe zbatimi i dispozitave dhe këshillave të Udhëzimeve dhe për të shmangur dyshimet dhe keqinterpretimet e tyre, zbatohet si në vijim:

  • Çdo individ, i cili në çfarëdo mënyre është i përfshirë në një formë në aktivitete të marketingut, është përgjegjës për të siguruar zbatimin e Udhëzimeve.
  • Udhëzimet do t’u prezantohen agjencive të marketingut dhe kompanive mediatike me të cilat bashkëpunon Lotaria e Kosovës. Secili prej tyre obligohet që të dorëzojë një vërtetim – deklaratë për njohjen e punonjësve të përfshirë në marketingun e Lotarisë së Kosovës me dispozitat e Udhëzimeve.
  • Çdo aktivitet i marketingut do të monitorohet nga përgjegjësi për OPSH i Lotarisë së Kosovës.
  • Në rast se është e pamundur që të harmonizohen qëndrimet e Lotarisë së Kosovës dhe ekspertëve të marketingut, për dyshime do të kërkohet një konsultim me autoritetin e jashtëm kompetent.

 

Prishtinë, prill 2017

 

Fondi i garantuar për

LOTO 7 nga 39 është

70,000

Fondi për 6 të qëlluara

pritet të jetë

1,300

Fondi për Joker 6

pritet të jetë

54,500